Për ne
Themelimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) u themelua në qershor 2004, me shpalljen nga Parlamenti i Kosovës të Ligjit për Energjinë, Ligjit për Energjinë Elektrike dhe Ligjit për Rregullatorin e Energjisë.
Zyra e Rregullatorit për Energji është organ i pavarur, i cili ka për detyrë të rregullojë aktivitetet në Sektorin e energjisë në Kosovë, përfshirë energjinë elektrike, ngrohjen qendrore dhe gazin, në pajtim me detyrimet që dalin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë (Ky traktat është nënshkruar nga Bashkimi Evropian dhe nëntë partnerë nga Evropa Juglindore në Athinë në muajin tetor 2005 për krijimin e kornizës ligjore për një treg të integruar të energjisë).
ZRRE ka kompetencat që të lëshojë licensa dhe të monitorojë nëse ato licensa respektohen nga ndërmarrjet e energjisë, të miratojë tarifat e aktiviteteve të shërbimeve publike, të imponojë detyrime për furnizimin e popullsisë, zgjidhjen e kontesteve dhe hartimin e legjislacionit sekondar për sektorin e energjisë. ZRRE është përgjegjëse edhe për krijimin e kornizës rregullative, e cila siguron funksionim transparent dhe jo-diskriminues të tregut të energjisë, duke u bazuar në parimet e tregut të lirë. Ajo zbaton kritere transparente dhe të hapura për dhënien e licencave ndërmarrjeve të energjisë, duke përfshirë fuqinë për të dhënë, ndryshuar, pezulluar, bartur, marrë, mbikëqyrë dhe kontrolluar nëse këto ndërmarrje të energjisë u përmbahen këtyre licencave.
ZRRE gjithashtu i ka kompetencat për të caktuar paraprakisht parimet dhe metodat e vënies së çmimit dhe më vonë për të miratuar tarifat për shërbimet e rregulluara të energjisë. Ky funksion përfshin edhe monitorimin e tarifave, zgjidhjen e kontesteve, cilësinë e shërbimeve dhe standardet për kryerjen e punëve. Gjatë kryerjes së veprimtarisë së saj, ZRRE bashkëpunon me ndërmarrjet e energjisë dhe ministritë, sidomos me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.
ZRRE financohet nga taksat e licencave, të cilat i mundësojnë kësaj zyre të veprojë si organ rregullator i pavarur financiarisht. ZRRE ndihmon dhe siguron që korniza rregulluese e Kosovës të jetë në pajtim me ‘acquis communautaire’ (përmbledhja e legjislacionit të BE-së) për energjinë.
Gjatë përmbushjes së funksionit të saj rregullues, ZRRE rëndësi të veçantë i kushton marrëdhënieve dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare si dhe bashkëpunimit me rregullatorët e tjerë.
Duke qenë se Kosova është nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë (TKE), ZRRE është anëtare e Bordit Rregullativ të Komunitetit të Energjisë (ECRB – “Energy Community Regulatory Board”).
Ky organ është themeluar sipas nenit 58 të TKE, që përbëhet nga Autoritet Rregullative të palëve kontraktuese, pjesëmarrësve dhe vëzhguesve. ECRB ka rolin e një trupi koordinues të autoriteteve rregullative për harmonizimin e kornizës rregullative, shkëmbimin e njohurive, dhe zhvillimin e praktikave për zbatimin e Traktatit.
ZRRE që nga viti 2005 është anëtare e Asociacionit Rajonal të Rregullatorëve të Energjisë, ERRA (Energy Regional Regulatory Asociacion). ERRA është një organizatë vullnetare e përbërë nga organe të pavarura të rregullimit të energjisë kryesisht nga Evropa, Azia, Afrika, Lindja e Mesme, Amerika e Jugut dhe Amerika e Veriut.
Që nga 17 nëntori 2015, ZRRE është anëtare e asocuar e Këshillit Evropian të Rregullatorëve të Energjisë (CEER). CEER është themeluar në vitin 2000 me qëllim të bashkëpunimit në mes të rregullatorëve të pavarur të energjisë në Evropë dhe ka në mesin e vet 33 autoritete Rregullative nga vendet e BE-së, EFTA dhe nga vendet aspirante të BE-së, duke përfshirë edhe ato të Komunitetit të Energjisë ku bënë pjesë edhe Kosova.
ZRRE gjithashtu, që nga viti 2008, ka marrëveshje bashkëpunimi me Shoqatën Kombëtare të Komisioneve Rregullative të Shërbimeve të SHBA, NARUC (National Asotiation of Regulatory Utility Commisioners). Ky partneritet mbështetet financiarisht nga USAID dhe ka rezultuar në ndryshime dhe përmirësime procedurale dhe teknike të ZRRE-së të cilat janë bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare të rregullimit. Partneriteti i Bashkëpunimit me NARUC gjatë këtyre viteve ka përfshirë rregullatorët nga Komisioni i Komercial i Illinois (ICC), Komisioni i Shërbimeve Publike të Pensilvanisë (PA PUC), Komisioni i Shërbimit Publik të Shtetit të Nju Jorkut (NYSPSC), Komisioni i Shërbimit Publik Kentucky (KPSC) dhe ai i Ohajos (PUCO).
Me 13 dhjetor 2019, ZRRE ka nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit me Entin Rregullator për Energji të Republikës së Shqipërisë,. Kjo është marrëveshja e dytë, pas asaj të nënshkruar në vitin 2013, që Rregullatorët e të dyja vendeve kanë nënshkruar me qëllim të thellimit të bashkëpunimit dhe përshtatjes me rrethanat e reja të krijuara në sektorin e energjisë. Përmes nënshkrimit të marrëveshjeve, të dy rregullatorët janë pajtuar që të thellojnë bashkëpunimin për të harmonizuar kornizat rregullative dhe për të promovuar zhvillimin dhe integrimin e tregjeve të energjisë të të dyja vendeve.
Me 19 nëntor 2019, ZRRE ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Komisionin Rregullativ për Energji dhe Ujë (KRRE) të Republikës së Maqedonisë Veriore. Nënshkrimi i kësaj Marrëveshje shpreh interesin e përbashkët të të dy institucioneve për të bashkëpunuar në përmbushjen e obligimeve të tyre për rregullimin e sektorëve të energjisë të të dyja vendeve.
Po ashtu marrëveshja shpreh pajtueshmërinë në mes të rregullatorëve që të shkëmbejnë informata mbi praktikat e aplikuara, gjatë përmbushjes së obligimeve që janë në interes të përbashkët publik të të dyja vendeve.