KOMUNIKATË
Seanca e njëmbëdhjetë (XI) e Bordit të ZRRE
Sot, më 31 tetor 2023, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mbajtur seancën e njëmbëdhjetë me radhë për ketë vit.
Në këtë seancë, Bordi ka marrë vendim për miratimin e Modelit të Tregut dhe Rregullave të Tregut. Modeli i Tregut, i miratuar nga Bordi, bazohet në tregje të organizuara në afate të ndryshme kohore si tregjet e ardhshme, tregjet një ditë para, tregjet brenda ditës dhe tregjet balancuese. Modeli i Tregut përfshinë platforma të reja tregtare (ALPEX PX) për nxitjen e burimeve të ripërtëritshme në treg me kosto të ulët dhe për të rritur tregtimin në ALPEX. Ndërsa në Rregullat e Tregut të miratuara nga Bordi përshkruhet mënyra se si palët mund të tregtojnë me njëra tjetrën dhe mënyra se si këto palë duhet të ndërveprojnë me OST, me qëllim të menaxhimit të balancit fizik të sistemit.
Po ashtu në këtë seancë Bordi ka miratuar kriteret teknike të kyçjes së vetë-konsumatorëve me burime të ripërtëritshme në rrjetin e shpërndarjes, si dhe ka lëshuar dy autorizime për ndërtim të projekteve solare.
Në këtë seancë, Bordi ka shqyrtuar njoftimin për Komisionin për Ndihmën Shtetërore për vënien në zbatim të Rregullës Nr. 03/2023 për Vetë-konsumatorët me Burime të Ripërtëritshme nga Zyra e Rregullatorit për Energji.
Pjesë e shqyrtimit nga Bordi kanë qenë edhe disa ankesa të konsumatorëve dhe çështje të tjera që ndërlidhen me funksionimin e sektorit si dhe të Zyrës së Rregullatorit për Energji.
Të gjitha vendimet e Bordit të ZRRE do të publikohen në faqen elektronike zyrtare të ZRRE www.ero-ks.org .
- Log in to post comments