Skip to main content
23.03.2023

KOMUNIKATË

Seanca e dytë (II) e Bordit të ZRRE

Më 23 mars 2023, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mbajtur seancën e tij të dytë (II) për këtë vit.

Në këtë seancë është marrë vendim që të i vazhdohet operatorit të Furnizimit KESCO, Obligimi për Furnizim me Shërbim Universal të konsumatorëve deri më 31 mars 2024. Vendimi për vënien e këtij obligimi është marrë në bazë të obligimeve ligjore të nenit 51 të Ligjit për Rregullatorin për Energji, dispozitat e neneve 5, 33 dhe 37 të Ligjit për Energjinë Elektrike, dispozitat ligjore të neneve 5 dhe 6 të Rregullës për Vendosjen e të Hyrave për Furnizuesin me Shërbim Universal, si dhe obligimet që rrjedhin nga kriteret për vlerësimin e konkurrencës në furnizim me energji elektrike ku përfshihen edhe rezultatet e indeksit për matjen e konkurrencës “Herfindahl Hirschman”.

Gjithashtu, Bordi ka aprovuar të Hyrat e Lejuara Maksimale për operatorët e rregulluar (Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut/KOSTT; Operatori i Sistemit të Shpërndarjes/KEDS dhe Operatori për Furnizim me Shërbim Universal FSHU/KESCO). Të Hyrat e Lejuara Maksimale për Furnizuesin me Shërbim Universal FSHU/KESCO janë aprovuar në vlerë prej 398.40 mil€, për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut/KOSTT janë aprovuar në vlerë prej 59.697mil€, për Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes/KEDS janë aprovuar në vlerë prej 133,808mil€. Këto të hyra do të u mundësojnë operatorëve kryerjen e funksioneve të operimit në kushte optimale. Me aprovimin e këtyre të hyrave, ZRRE, ndër të tjera, ka marrë në konsideratë edhe rritjen e çmimeve të importit të cilat janë jashtë kontrollit të operatorëve si dhe subvencionin që është alokuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

 Megjithatë, rritja e të hyrave do të reflektoj në ngritje të çmimeve të energjisë elektrike rreth 15% për konsumatorët fundor në vitin tarifor, të cilat do të hyjnë në fuqi prej 1 prill 2023 deri më 31 mars 2024. 

Në këtë seancë janë shqyrtuar dhe miratuar planet zhvillimore dhjetë (10) dhe pesë (5) vjeçare për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, Bilancet e energjisë Termike si dhe janë shqyrtuar dhe aprovuar 18  kërkesa të konsumatorëve për autorizim për vet-konsum, nga të cilat 11 vijnë nga ndërmarrjet dhe 7 nga personat fizik me gjithsej 605kW.

Pjesë e shqyrtimit nga Bordi kanë qenë kontestet ndërmjet të licencuarve KOSTT dhe KEDS, KOSTT dhe KESCO, ankesat e konsumatorëve, si dhe disa çështje të tjera që ndërlidhen me funksionimin e  Zyrës së Rregullatorit për Energji. Të gjitha vendimet e Bordit të ZRRE-së do të publikohen në faqen elektronike zyrtare të ZRRE-së www.ero-ks.org.