Takim mes Bordit të ZRRE-së dhe Ekipit të Energjisë të Bankës Botërore
Në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), dje është mbajtur një takim me ekipin e energjisë të Bankës Botërore, në kuadër të misionit të tyre në Kosovë për të avancuar zbatimin e Strategjisë Energjetike të vendit. Misioni, i udhëhequr nga znj. Katharina Gassner, Ekonomiste e Lartë e Energjisë u prit nga Bordi i ZRRE-së.
Gjatë takimit, u diskutuan një sërë çështjesh kyçe për sektorin energjetik të Kosovës. Ndër temat kryesore ishte rishikimi i kodeve të rrjetit nga KOSTT dhe dorëzimi i tyre në ZRRE, procesi i shqyrtimit të tyre si dhe afatet ligjore përkatëse. Po ashtu, u theksua mbështetja e ofruar nga Banka Botërore për projektet e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, me fokus të veçantë tek ato që zhvillohen përmes ankandeve.
Takimi gjithashtu u përqendrua në zhvillimet e fundit në sektorin energjetik, përfshirë integrimin e sektorit energjetik të Kosovës me atë regjional dhe evropian, si dhe rolin e rëndësishëm të ZRRE-së në këto procese.
ZRRE mbetet e përkushtuar në fuqizimin e bashkëpunimit me organizatat ndërkombëtare dhe të gjithë akterët relevantë, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit ndërkombëtar dhe zbatimit të praktikave më të mira nga vendet e tjera. Ky angazhim për bashkëpunim synon të sigurojë një furnizim të qëndrueshëm me energji për të gjithë konsumatorët dhe ndërtimin e një sektori të qëndrueshëm energjetik në Kosovë.
- Log in to post comments