Takim informues i Zyrës së Rregullatorit për Energji me furnizuesit e energjisë elektrike në Republikën e Shqipërisë
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) zhvilloi sot një takim informues me furnizuesit e energjisë elektrike që operojnë në Republikën e Shqipërisë, në ambientet e Entit Rregullator të Energjisë (ERE) në Tiranë. Qëllimi i këtij takimi ishte informimi i operatorëve të tregut shqiptar mbi ecurinë e procesit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në Republikën e Kosovës.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e ZRRE-së prezantuan një pasqyrë të detajuar të strukturës dhe funksionimit të tregut të energjisë elektrike në Kosovë, duke u ndalur veçanërisht në aspektet rregullative, mundësitë për hyrje në treg dhe përfitimet që ofron procesi i liberalizimit të tregut të energjisë.
Takimi u vlerësua si tejet konstruktiv, me pjesëmarrje aktive të të gjithë të pranishmëve, të cilët ndanë pikëpamjet, shqetësimet dhe rekomandimet e tyre për rrjedhën e mëtejme të këtij procesi.
ZRRE shpreh mirënjohjen e saj të thellë ndaj Entit Rregullator të Energjisë së Republikës së Shqipërisë për mikpritjen dhe mbështetjen në organizimin e këtij takimi, si dhe ndaj të gjithë pjesëmarrësve për angazhimin dhe interesimin e treguar.
ZRRE riafirmon përkushtimin e saj për të vazhduar me zbatimin e një procesi të hapur, gjithëpërfshirës dhe në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, në mënyrë që liberalizimi i tregut të energjisë të sjell përfitime të drejtpërdrejta për konsumatorët dhe të gjithë sektorin energjetik në Kosovë.
- Log in to post comments