Zyra e Rregullatorit për Energji mban takim me furnizuesit e licencuar lidhur me procesin e liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë
Sot, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mbajtur një takim me të gjithë furnizuesit e licencuar në Republikën e Kosovës. Ky takim kishte për qëllim diskutimin gjithëpërfshirës të të gjitha çështjeve që lidhen me procesin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në vend.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e ZRRE-së prezantuan zhvillimet më të fundit në lidhje me hapat drejt hapjes së plotë të tregut për konsumatorët fundorë, si dhe rolin dhe përgjegjësitë që do të kenë furnizuesit në këtë fazë të rëndësishme të transformimit të tregut të energjisë. U theksua rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet palëve të interesit për të siguruar një kalim të suksesshëm dhe të qëndrueshëm drejt një tregu të lirë dhe konkurrues.
Takimi u vlerësua si tejet konstruktiv, me pjesëmarrje aktive të të gjithë të pranishmëve, të cilët ndanë pikëpamjet, shqetësimet dhe rekomandimet e tyre për rrjedhën e mëtejme të këtij procesi.
ZRRE mbetet e përkushtuar për të vazhduar me zbatimin e një procesi të hapur, gjithëpërfshirës dhe në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, në mënyrë që liberalizimi i tregut të energjisë të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për konsumatorët dhe të gjithë sektorin energjetik në Kosovë.
- Log in to post comments